Arben Coli

Intervista e Albin Kurtit e vitit 2012 kurrë më aktuale. Për EURACTIV, Vjollca Hajdari.

Me rastin e pritjes së Kryeministrit të Ri të Republikës së Kosovë, z. Albin Kurti, dua të paraqes një intervistë të 17.02.2012, të zhvilluar nga gazetarja, znj. Vjollca Hajdari, për online-revistën gjermane EURACTIV.

Fjalët e Albin Kurtit të para shtatë viteve janë pak a shumë po ato fjalë, të cilat ai shpreh sot.

Lexim të këndshëm:

 

INTERVISE ME ALBIN KURTIN PER EURACTIV.DE

1. Vetem ca dite pas protestave te organizuara per vizite ishin ministri i
jashtem i Kosoves, me pas Ju - ne Gjermani. A ka ndonje lidhshmeri e
gjithe kjo?

Jo, nuk e besoj. Të paktën ne në Lëvizjen VETËVENDOSJE! nuk i planifikojmë agjendat duke u bazuar në vizitat e të tjerëve. Mund të ju siguroj se vizita ime në Gjermani ka qenë e planifikuar muaj më parë dhe ajo nuk ka kurrfarë lidhje me ndonjë vizitë të dikujt tjetër.

2.Cfare ishte qellimi i vizites Suaj dhe cfare u fol ne takime?

Vizita jonë në Gjermani kishte për qëllim takimin me bashkatdhetarët tanë atje dhe njohjen për së afërmi me jetën, hallet e problemet e tyre. Pothuajse çdo verë ne kemi organizuar takime e tryeza në Kosovë duke i ftuar ata. Gjithashtu, Gjermania është një vend që ka ndihmuar e po e ndihmon Kosovën, prandaj edhe këtë vizitë e shfrytëzuam për t’u takuar me autoritetet shtetërore gjermane, forcat politike dhe organizatat e ndryshme joqeveritare atje.

3. Si u pritet nga pala gjermane dhe si nga bashkatdhetaret?

Kishim takime mjaft miqësore me zyrtarët gjermanë të Ministrisë së Jashtme, por edhe me udhëheqës të subjekteve politike. Para tyre i shpalosëm parimet programore të Lëvizjes sonë dhe diskutuam hapur mbi gjendjen në Kosovë dhe brengat tona rreth negociatave me Serbinë.

Në takim me bashkatdhetarët folëm për ndihmën që shteti i Kosovës duhet ta japë për mërgatën, por edhe modalitetet e mbështetjes që mërgata mund të japë për zhvillimin e vendit, duke filluar nga kthimi i të rinjve studentë të dalluar për të ndihmuar në përparimin e vendit, deri tek lehtësimet e ndryshme të kapitalit të tyre që do të investohej në Kosovë.

 

Në programin e saj Lëvizja VETËVENDOSJE! i kushton rëndësi të veçantë mërgatës. Tri të drejta themelore politike janë të rëndësishme për mërgatën: riatdhesimi, shtetësia e dyfishtë dhe e drejta e votës së lirë. Por, edhe tri lloj lehtësimesh për investimet e saj në Kosovë: tatimore, bankare dhe administrative. Njëkohësisht, Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet që shteti i Kosovës ta nxisë, ndihmojë e mbështesë organizimin e mërgatës shqiptare në vendet ku ata janë në mënyrë që ata ta kenë peshën politike që përkthehet në të drejta të realizuara.

4. Para ca kohesh u zhvilluan protesta nga ana e Vetevendosjes. Ato
parashihni t'i vazhdoni me tej. Cili do jete qellimi apo arsyet e
protestave?

Regjimi në Kosovë është kundër-popullor. Kundër-popullor e bëjnë veprimet e dëmshme kundër interesit të përgjithshëm; negocimi i vullneti të popullit me Serbinë, por edhe tregtimi i pasurive tona publike. Ky pushtet është kundër-popullor sepse nuk e ka votën e popullit. Me gjithë vjedhjen industriale të votave, shumica parlamentare në Kuvendin e Kosovës mbetet pakica e elektoratit që ka votuar në zgjedhjet e fundit. Në fakt ky dualizëm nuk ekziston kështu i ndarë duke u mjaftuar secila pjesë me arsyen e vet. Ka një raport shkakësie në këtë mes. Pushteti i ka vjedhur zgjedhjet për ta vjedhur pasurinë e për ta vënë Kosovën në pazarin e negociatave me Serbinë, sepse vetëm kështu mund të mbetet prapë në pushtet.

Ky pushtet po ia zë frymën veprimit politik duke anashkaluar edhe Kuvendin e Kosovës si forumi kryesor vendimmarrës brenda institucioneve. Përmes marrëveshjeve të fshehta e prapa syve të publikut, pushteti po e shpërfill Kuvendin (kujto këtu rezolutën e fundit, por edhe mënyrën e zgjedhjes së Presidentit). Nga diktatura e numrave në oligarki. Në anën tjetër kemi Lëvizjen VETËVENDOSJE! që tërheq në kahun e kundërt, nga Kuvendi tek populli. Demokracia e drejtpërdrejt kundër oligarkisë konsensuale, që s’është veçse konsensusi i oligarkëve.

 

5. Sado qe protestat ishin paralajmeruar te jene paqesore, dhuna e
praktikuar eshte kritikar edhe nga Transparency International. Si e
komentoni ju veprimin e policise dhe qasjen politike?

Dhuna e policisë më 14 janar ishte e planifikuar paraprakisht. Kjo dhunë ka filluar me deklaratat skandaloze të Thaçit e disa përfaqësuesve diplomatikë të akredituar në Prishtinë. Deklarimet e tyre me një ton urrejtjeje të pashpjegueshme para një proteste paqësore, ishin apologji për dhunën që do të përdorej në shtypjen e protestës. Policia e Kosovës duhet ta ketë gjithmonë parasysh se është Polici e Kosovës dhe jo e Qeverisë së Kosovës.

Një pushtet i padrejtë e diskriminues është në vetvete i dhunshëm. Manifestimi brutal i dhunës nuk është përjashtimi prej normalitetit nga i cili duhet frikësuar. Manifestimi subjektiv i dhunës është e vërteta për karakterin e dhunshëm të këtij pushteti. Paradoksalisht, ushtrimi i dhunës nuk flet për fuqinë e pushtetit. Kjo tregon se dhuna propagandistike që na e pamundëson ta shohim karakterin e padrejtë (pra të dhunshëm) të pushtetit nuk po funksionon. Edhe shantazhet e ndryshme kushtëzuese për të mos dalur në protestë po dështojnë, pushtetit po i sosen mjetet pak nga pak.  

6. A eshte sipas jush normale (shikuar nga prizma e imunitetit politik) qe
deputetet te trajtohen si delikuente ne rast se ata protestojne?

Së pari vetë Kosova nuk është një vend normal. Kosova çdo ditë e më shumë po i merr karakteristikat e një shteti policor. Kur ka protesta gjithandej nga grupe të ndryshme shoqërore, e pushteti gjithnjë përgjigjet dhunshëm në emër të “sigurimit të rendit e ligjit”, atëherë, ka një problem me këtë rend. E vërteta është se Kosovës dhe popullit të saj i janë imponuar procese e vendime (që tashmë kanë formën e ligjieve) e po vazhdojnë t’i imponohen edhe sot. Rendi në Kosovë është i padrejtë.

7. Si qendron raporti i juaj momental me qeverine dhe partite tjera dhe si
e vleresoni ju zhvillimin politik ne raport me partite politike?

Lëvizja VETËVENDOSJE! është kritike ndaj Qeverisë së Kosovës sepse mendojmë se politikat e saj po i shkaktojnë dëme të mëdha vendit. Ndërkaq, me partitë politike opozitare kemi bashkëpunim herë pas here kur një bashkëpunim i tillë është në përputhje me programet tona politike që s’do mend se dallojnë jo pak.

8. Ka pasur verejtje edhe nga ana e nderkombetareve rreth qendrimit Tuaj.Si
i shihni ju keto reagime. Sa jane te arsyeshme (apo te paarsyeshme) nga ana
e Juaj?

Për Lëvizjen VETËVENDOSJE! është i papranueshëm roli paternalist i zyrtarëve të ndryshëm ndërkombëtarë. Ne duam marrëdhënie partneriteti e jo marrëdhënie nënshtrimi.

Ne mendojmë se qëndrimet tona politike janë të drejta dhe nuk e diskriminojnë askënd. Ata edhe mund të prishin llogaritë e interesat e dikujt, por ne jemi këtu për të mbrojtur interesat e qytetarëve të Kosovës.

9. Si e komentoni gjendjen ne veri, njashtu ne raport me pasivitetin e
nderkombetareve dhe shpenzimet astronomike te Eulexit?

Drejtësi dhe sovranitet për Kosovën mund të sjellin vetëm institucionet e pavarura të Kosovës. Koncepti i këtij misioni është menaxhimi i krizave dhe ruajtja e stabilitetit, por jo drejtësia.

Gjendja aktuale në veriun e vendit është më e vështirë sesa para ndërhyrjes të lënë përgjysmë të Thaçit që tashmë po shihet se nuk kishte për qëllim vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të vendit. Strukturat paralele në veri pas kalitjes që u bëri Thaçi janë betonizuar e barrikaduar, duke degraduar gjendjen shumë herë më keq. Kjo ndërhyrje po rikuptimësohet me zhvillimin e mëtejshëm të ngjarjeve. Çdo ditë e më shumë kjo ndërhyrja dhe zmbrapsja e menjëhershme po përdoret për të na bllokuar në pamundësinë e një ndërhyrjeje të vërtetë dhe për t’i justifikuar negociatat për statusin special si e vetmja mundësi reale.

10. Si e vleresoni prezencen e nderkombetareve ne pergjithesi dhe
atmosferen politike qe ofrojne autoritetet nderkombetare?

Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet që të ruajë raporte miqësore me vendet që e kanë njohur e po e ndihmojnë Kosovën. Mirëpo, ambasadorët e diplomatët e ndryshëm shpesh japin deklarime e merren me çështje që janë jashtë përshkrimit të punës së një ambasadori në një shtet sovran. Ambasadorët në Prishtinë duhet të mbeten ambasadorë, e ambasadorët duhet dalluar nga guvernatorët e kolonive.

11. Vleresoheni nder politikanet me ofanzive per bashkimin e Kosoves me
Shqiperi. Si i shpjegoni Ju zhvillimet e fundit ne kete linje dhe ne cfare
drejtimi po shkon Kosova?

Ekzistojnë dy Kosova. Kosova si vullneti politik i qytetarëve të saj dhe Kosova si politika zyrtare shtypëse e Qeverisë së Kosovës. Ne në Lëvizjen VETËVENDOSJE! nisemi nga vullneti i qytetarëve. Janë qytetarët këndej e andej kufirit që duhet të vendosin përmes referendumit nëse duan apo jo të bashkohen. Në Kosovë një referendum i tillë është i ndaluar me Kushtetutë, ndërkohë që sondazhet flasin për një disponim pro kësaj çështjeje. Rezultati dihet, prandaj edhe ndalohet referendumi.

12. Tashi sipas Piter Feith-it gjate takimit te tij ne Viene, po flitet per
perfundimin e mbikqyrjes se pavaresise se Kosoves ne fund te vitit 2012. Ne
anen tjeter aludohet ne Planin e Ahtisarit dhe perforcimin e
decentralizimit. Si e vleresoni ju kete proces?

Së pari duhet qartësuar se heqja e Zyrës Civile Ndërkombëtare nuk nënkupton heqjen e gjithë mbikëqyrjes ndërkombëtare në Kosovë. EULEX - i do të vazhdojë me kompetencat e tij ekzekutive, ndërkohë që edhe UNMIK – u po mbetet akoma në Kosovë.

Vetë raporti i cili parasheh që të kemi një mbikëqyrës i cili na vëzhgon dhe kujdeset se mos gabojmë, i cili e ka tagrin e të vendosurit mbi veprimin korrekt ose gabim, është raport dhune. Në këtë drejtim, kemi dy lloje të heqjes së mbikëqyrjes; rrebeluese, që nuk e pranon këtë lloj raporti, që i heq prangat, por edhe heqje e mbikëqyrjes pikërisht sepse tashmë nuk ka rrezik të ndonjë rrebelimi. Kosovës po i hiqet mbikëqyrja sepse tashmë është realizuar shumica e Planit të Ahtisaarit, ajo do të vetëmbikëqyret në njëfarë mënyre.

13. Ju ishit nder politikanet/aktivistet me kontravers, por jeni ne
nderkohe edhe me te popullarizuarit sidomos ne radhet e rinise. Cili eshte
koncepti i Vetevendosjes dhe cfare e dallon ate nga partite tjera? Cfare
parasheh te ofroje kjo levizje ne te ardhmen?

Lëvizja VETËVENDOSJE! e ka programin e saj politik ku edhe gjendet qëndrimet tona parimore karshi problemeve të ndryshme politike, ekonomike e sociale që ka Kosova. Shumë shpejt nga këto parime programore do të dalë edhe programi ynë qeverisës.

Nga subjektet e tjera neve na dallon programi politik dhe ekonomik që është një program barazitar, program që e bën Kosovën sovrane e të barabartë në mesin e vendeve të barabarta, por përveç kësaj, ne kërkojmë edhe sovranitet ekonomik i cili ia lejon Kosovës t’i përdorë burimet e saj natyrore në funksion të zhvillimit të vendit. Dallojmë nga subjektet e tjera sepse nuk mjaftohemi me demokracinë përfaqësuese, por duam që populli i Kosovës të jetë pjesëmarrës i përçdoditshëm në jetën politike. Dhe, njësoj, nuk mjaftohemi me pavarësinë pa sovranitet.

Intervistoi: Vjollca Hajdari per EurActiv.de

Intervistën mund ta lexoni në gjermanisht edhe online nën
https://www.euractiv.de/section/erweiterung-und-nachbarn/interview/albin-kurti-kosovo-ist-kein-normales-land/

  Adresa


Schleissheimer Str. 4
80333 München

© 2021 Arben Coli

  0170 4993829